Të rinjtë në Shqipëri po ndryshojnë prioritetet në zgjedhjen e partnerit, duke i kushtuar më pak rëndësi virgjërisë, miratimit të familjes dhe nivelit arsimor, ndërsa besimi fetar dhe gjendja ekonomike kanë fituar më shumë peshë. Sipas anketave të Fondacionit Friedrich Ebert (FES), të publikuara në një grafik krahasues nga AlbanianStats, përqindja e të rinjve që e konsiderojnë virgjërinë të rëndësishme ose shumë të rëndësishme ka rënë nga 46% në vitin 2011 në vetëm 19% në vitin 2024.
Rënie është regjistruar edhe te miratimi i familjes, nga 73% në 60%, si dhe te niveli arsimor i partnerit, nga 77% në 64%. Në të kundërt, rëndësia e besimit fetar është rritur nga 17% në 27%, ndërsa gjendja ekonomike nga 41% në 44%, duke reflektuar ndryshimin e kritereve që të rinjtë shqiptarë vlerësojnë në një marrëdhënie.
Krahasimi me Kosovën nxjerr në pah dallime të dukshme. Në vitin 2024, virgjërinë e konsideronin të rëndësishme 56% e të rinjve kosovarë, kundrejt 19% në Shqipëri, ndërsa miratimi i familjes dhe besimi fetar arrinin përkatësisht në 80% dhe 79% në Kosovë, kundrejt 60% dhe 27% në Shqipëri. Edhe rëndësia e gjendjes ekonomike është rritur më shumë në Kosovë, nga 43% në 53%, ndërsa niveli arsimor mbetet një kriter i rëndësishëm në të dy vendet, pavarësisht rënies së peshës së tij.