Nga BKH dhe FSHF në krye të Burgjeve! Sadleva Bodo e përzgjedhur nga Rama

Nga BKH dhe FSHF në krye të…

Sadleva Bodo pritet të jetë drejtoresha e re e Përgjithshme e Burgjeve, duke zëvendësuar Adriatik Kupin, i cili dha dorëheqjen pas vetëm shtatë muajsh në detyrë. Bodo vjen nga Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH), ku prej pesë vitesh ka mbajtur pozicionin e këshilltares ligjore të drejtorit, fillimisht nën drejtimin e Aida Hajnajt dhe më pas të Joni Ketës.

Përpara angazhimit në BKH, Bodo ka drejtuar Drejtorinë e Integrimit Europian, Koordinimit, Marrëveshjeve Ndërkombëtare dhe Asistencës në Ministrinë e Brendshme, nga maji 2018 deri në gusht 2021. Gjatë pesë muajve të parë të kësaj periudhe, ministër i Brendshëm ishte Fatmir Xhafaj. E lindur më 29 janar 1988, ajo është diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës në vitin 2010 dhe ka ndjekur studime pasuniversitare në Wayne State University në Detroit, SHBA, si dhe në Universitetin e Maastricht-it në Holandë. Prej dhjetorit 2022 është gjithashtu anëtare e Dhomës Kombëtare të Zgjidhjes së Konflikteve pranë Federatës Shqiptare të Futbollit.

Më 9 tetor, tri ditë përpara se emri i saj të dilte si pasuese e Kupit, Bodo është takuar privatisht me kryeministrin Edi Rama në ambientet e Kryeministrisë. Nuk ka ende një njoftim publik mbi përmbajtjen e takimit. Bodo pritet të marrë zyrtarisht detyrën të mërkurën, më 14 tetor, duke kaluar nga strukturat e posaçme të hetimit në drejtimin e administratës së sistemit penitenciar.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit