Shqipëria vijon të përballet me nivele të larta të varfërisë në krahasim me vendet europiane, ndërsa politikat e mbrojtjes sociale mbeten të pamjaftueshme për mijëra familje në vështirësi ekonomike. Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se numri i familjeve që përfitojnë ndihmë ekonomike ka rënë me 21% në periudhën 2023-2025, nga 55,410 familje në 43,648. Në vend që reduktimi i numrit të përfituesve të shoqërohej me rritjen e pagesave për familjet që vijojnë të jenë në skemë, masa mesatare e ndihmës mbeti pothuajse e pandryshuar, në 7,253 lekë në muaj për familje.
Tkurrja e skemës është reflektuar edhe në fondet publike, të cilat ranë nga 4.8 miliardë lekë në vitin 2023 në 3.8 miliardë lekë në vitin 2025, një ulje prej rreth 21%. Ndërkohë, sipas standardit të Bankës Botërore për varfërinë në vendet me të ardhura të mesme të larta, pragu është 8.30 dollarë në ditë për person, sipas çmimeve dhe paritetit të fuqisë blerëse të vitit 2021. Edhe pse ky standard nuk krahasohet drejtpërdrejt me pagesën nominale të ndihmës ekonomike, diferenca nxjerr në pah kufizimet e një skeme që synon të mbështesë familjet më të cenueshme, në një kohë kur kostot e jetesës rëndojnë mbi buxhetet familjare.
Pavarësisht rritjes së të ardhurave buxhetore dhe aktivitetit ekonomik, familjet në varfëri vijojnë të përballen me vështirësi për të përballuar nevojat bazë, nga ushqimi te faturat e energjisë dhe ujit. Partnerët ndërkombëtarë, përfshirë Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar, kanë theksuar rëndësinë e forcimit të mbrojtjes sociale dhe të një shpërndarjeje më gjithëpërfshirëse të përfitimeve të rritjes ekonomike. Në këtë kontekst, mbetet thelbësore që qeveria të rishikojë masën e ndihmës ekonomike, kriteret e përfitimit dhe mbulimin e familjeve në nevojë, në mënyrë që mbështetja sociale të mos mbetet thjesht një pagesë simbolike, por të kontribuojë realisht në përmirësimin e kushteve të jetesës.