Kushëriri i Ledion Ballës, të riut që u shfaq në pamjet e protestës me këmbë të thyer, ka rrëfyer përmes një mesazhi për JOQ Albania, gjendjen e rëndë shëndetësore të tij dhe rrethanat e ngjarjes.
Sipas tij, Ledioni nuk kishte marrë pjesë në protestë, por ishte larguar nga një kafene bashkë me një kushëri tjetër dhe një shok të tyre, kur u ndaluan nga policia. Ai pretendon se efektivët nisën t’i godisnin dhe se, edhe pasi Ledionit iu thye këmba dhe humbi ndjenjat, dhuna ndaj tij vazhdoi.
Sipas dëshmisë së tij, Ledioni u dërgua në spital rreth dy orë pas ngjarjes dhe aktualisht ndodhet në sallën e operacionit. Familjarët shprehen të shqetësuar për gjendjen e tij, pasi ende nuk e dinë nëse do të mund t’i shpëtohet këmba. Kushëriri ka sqaruar gjithashtu se, ndryshe nga pretendimet që ka parë në komentet në rrjetet sociale, personi që shfaqet në video te Trauma është pikërisht Ledion Balla.
Mesazhi i kushëririt të Ledion Ballës për JOQ:
Mirëmëngjes JOQ, jam kushëriri i Ledion Ballës, djalit që e rrahën dhe i thyen këmbën. Ledioni nuk ka ndërruar jetë. Është në operacion. Po lexoj disa komente ku thonë se ishte dikush tjetër apo diçka e tillë. Nuk është e vërtetë. Ledioni nuk kishte marrë pjesë fare në protestë. Ai ishte larguar nga kafeneja bashkë me një kushëri tjetër timin dhe një shok të tyre, për të shkuar në shtëpi. Gjatë rrugës i ndaloi policia dhe filloi t’i rrihte. Policët ia thyen këmbën, por edhe pasi ia thyen, vazhduan ta godisnin. Dy të tjerët i morën dhe i çuan në komisariat. Ai kishte humbur ndjenjat, por ata vazhdonin ta godisnin edhe kur ishte pa ndjenja. Kur u zgjua, sepse kishte rënë të fikët, ishte në gjendje shumë të rëndë. Kishte shenja dhe mavijosje në të gjithë trupin nga goditjet. Askush nuk i afrohej dhe askush nuk i jepte ndihmë. Pas një kohe, e dërgova në spital. Është në sallën e operacionit. Nuk e dimë nëse do ta shpëtojë këmbën apo çfarë do të ndodhë me të. Që nga mbrëmë, sapo u larguan, policët u zhdukën dhe mjekët po ashtu. Sot në mëngjes e morën përsëri dhe ende e kanë brenda.