Shqipëria po braktiset nga të rinjtë, ministri Hoxha shqetësohet për imazhin drejt BE-së

Shqipëria po braktiset nga të rinjtë, ministri…

Në një kohë kur Shqipërisë i është dëmtuar imazhi nga brenda, nga problemet e akumuluara ndër vite, dhe kur të rinjtë më në fund po ngrenë zërin, me gjithë shpirtin e tyre të lirë, përmes protestës demokratike, për t’i kthyer dinjitetin një Shqipërie që po braktiset, ministri socialist për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, duket se shqetësimin kryesor e ka te rruga drejt Bashkimit Evropian dhe imazhi që vendi përcjell në arenën ndërkombëtare. Në reagimin e tij, Hoxha i cilësoi të papranueshme pamjet e dhunës, shkatërrimit të pronës dhe sulmeve ndaj institucioneve e selive diplomatike. Por, ndërsa dënon me të drejtë dhunën, a mund të mjaftojë mbrojtja e reputacionit ndërkombëtar për të shpjeguar realitetin që i nxjerr qytetarët në rrugë?

Në një kohë kur të rinjtë po marrin rrugën e kurbetit që në moshë të re, ose menjëherë pas përfundimit të universitetit, për të kërkuar jashtë vendit punën, dinjitetin dhe mundësitë që nuk i gjejnë në atdhe, shqetësimi për rrugën drejt BE-së nuk mund të kufizohet te mënyra se si perceptohet Shqipëria nga të huajt. Çfarë vlere ka imazhi i një vendi të qëndrueshëm dhe të sigurt, nëse të rinjtë e tij nuk e shohin të ardhmen brenda kufijve të vet? Çfarë kuptimi ka integrimi evropian nëse vlerat që ai përfaqëson, drejtësia, liria, meritokracia dhe mirëqenia, mbeten ende pritshmëri për qytetarët? Për shumë të rinj, Evropa nuk është thjesht një objektiv diplomatik, por një mundësi për të jetuar me dinjitet. Prandaj, përpara se të shqetësohet për dëmin që protestat mund t’i shkaktojnë imazhit të vendit, politika duhet të përballet me arsyet që i shtyjnë qytetarët të protestojnë dhe të largohen. Një Shqipëri që humbet të rinjtë e saj për shkak të mungesës së perspektivës përballet me një plagë që nuk mbulohet dot me deklarata diplomatike.

Dinjiteti i Shqipërisë nuk mbrohet vetëm duke ruajtur imazhin e saj jashtë, por duke u dhënë shqiptarëve arsye për të qëndruar brenda. Sepse rruga drejt Evropës nuk duhet të jetë vetëm rruga e shtetit drejt anëtarësimit, por edhe rruga e qytetarëve drejt një jete më të mirë në vendin e tyre.

 

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit