Qeveria nuk ka humbur kohë për ta kthyer në vendim premtimin e kryeministrit Edi Rama për shpërblimin e efektivëve të angazhuar gjatë protestave. Vendimi, i miratuar të hënën me propozim të ministrit të Punëve të Brendshme, parashikon shpërblimin e 2.750 punonjësve të Policisë së Shtetit, në një kohë kur mënyra e ndërhyrjes ndaj protestuesve ka nxitur reagime dhe akuza për dhunë policore. Duket se për qeverinë, bilanci i operacionit nuk matet vetëm me rendin e sigurinë, por edhe me shumën që duhet paguar në fund.
Sipas vendimit, çdo efektiv përfiton 269.120 lekë, ndërsa fatura totale për buxhetin e shtetit arrin në 740 milionë e 80 mijë lekë. Fondet do të sigurohen nga fondi rezervë, pra nga paratë publike që duhet të menaxhohen në interes të qytetarëve. Shpërblimi vjen shpejt, ndërsa pyetjet për proporcionalitetin e forcës së përdorur ndaj protestuesve dhe përgjegjësinë për rastet e pretenduara të dhunës mbeten po aq të rëndësishme.
Në fund, qytetarët gjenden përballë një paradoksi të hidhur, ata financojnë nga taksat e tyre si institucionet që duhet t’u garantojnë sigurinë, ashtu edhe shpërblimet e vendosura pas një aksioni policor që është vënë në qendër të kritikave. Nëse për çdo efektiv të angazhuar ka një bonus, kush mban përgjegjësi për tejkalimet e mundshme? Për momentin, llogaria financiare është bërë, ndërsa llogaria për mënyrën se si u trajtuan protestuesit kërkon përgjigje. Shkopinjtë mund të jenë përdorur në rrugë, por faturën e paguajnë të gjithë qytetarët.