Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e kësaj të marte në zonën e Komunës së Parisit në kryeqytet, ku një automjet në lëvizje është qëlluar me armë zjarri.
Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se bëhet fjalë për një atentat, ndërsa ngjarja mësohet se nuk ka lidhje me protestën që po zhvillohet në kryeqytet.
Në lidhje me këtë ngjarje, Policia e Shtetit ka dhënë informacionin zyrtar paraprak:
Më datë 20.10.2026, rreth orës 20:20, në Sallën Operative është marrë njoftim për një automjet të aksidentuar në rrugën “Mihal Popi”, në bllokun “1 Maji”.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje, ku kanë konstatuar brenda automjetit tip “Volvo”, shtetasin I. H., pa shenja jete, i cili dyshohet se është vrarë me armë zjarri.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po kryen veprimet procedurale për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Deri në këto momente vijojnë hetimet intensive në terren për zbardhjen e plotë të rrethanave, identifikimin dhe kapjen e autorëve të mundshëm të këtij krimi.