Policia ndryshon pistën për 46-vjeçarin e gjetur të vdekur në makinë: Dyshohet për vetëvrasje

Policia ndryshon pistën për 46-vjeçarin e gjetur…

Ngjarja e raportuar fillimisht si një atentat i mundshëm mbrëmjen e sotme në Tiranë merr një tjetër drejtim pas njoftimit të dytë të Policisë.

46-vjeçari Ismet Habili u gjet pa shenja jete brenda automjetit të tij, në rrugën “Mihal Popi”, në bllokun “1 Maji”. Pas raportimeve të para për një atentat të mundshëm, Policia ka dhënë detaje të reja nga hetimet paraprake, duke ngritur një tjetër pistë për ngjarjen.

Gjatë kontrollit në automjet, efektivët kanë gjetur dhe sekuestruar një pistoletë dhe një gëzhojë. Bazuar në veprimet e para hetimore dhe procedurale, Policia bën me dije se dyshohet që 46-vjeçari mund të jetë vetëvrarë.

Pra, ajo që u raportua fillimisht si një atentat i mundshëm, tashmë po hetohet edhe në pistën e vetëvrasjes. Megjithatë, bëhet fjalë për një dyshim paraprak dhe jo për një përfundim përfundimtar mbi rrethanat e vdekjes.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për dokumentimin e plotë të rastit dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Njoftimi i plotë i Policisë:

Tiranë/Informacion shtesë

Në vijim të informacionit të dhënë pak më parë, për ngjarjen e ndodhur në rrugën “Mihal Popi”, ku u gjet pa shenja jete, brenda automjetit, shtetasi I. H., ju bëjmë me dije se:

Gjatë kontrollit në automjet, u gjetën dhe u sekuestruan një armë zjarri pistoletë dhe një gëzhojë.

Nga veprimet e para hetimore dhe procedurale të kryera, dyshohet se shtetasi I. H., 46 vjeç, mund të jetë vetëvrarë.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për dokumentimin e plotë të rastit.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit