Një qytetar ngre shqetësimin për situatën e krijuar në ambientet brenda Spitalit të Traumës, ku parkimi i automjeteve në çdo hapësirë dhe prania e mbeturinave e kanë bërë thuajse të pamundur lëvizjen e lirë të këmbësorëve.
Sipas raportimit të qytetarit, makinat parkohen deri te dera, duke bllokuar hapësirat e kalimit dhe duke i detyruar këmbësorët të kalojnë me vështirësi edhe në cepat e mureve. Ndërkohë, mbeturinat e grumbulluara në qoshe e përkeqësojnë më tej situatën.
“A jetojmë në Mesjetë apo në vitin 2026?”, shtron pyetjen qytetari, duke kërkuar më shumë vëmendje nga institucionet përgjegjëse për lirimin e hapësirave të këmbësorëve, disiplinimin e parkimit dhe pastrimin e zonës.
Situata ngre shqetësime jo vetëm për pastërtinë dhe imazhin e zonës, por edhe për sigurinë dhe aksesin e qytetarëve që frekuentojnë një institucion shëndetësor si Spitali i Traumës.