Gjykata e Tiranës ka vendosur lirimin e 38 personave të arrestuar gjatë protestave që prej nëntë ditësh vijojnë mes tensioneve dhe përplasjeve me forcat e policisë.
Sipas vendimit, 30 prej tyre do të qëndrojnë nën masën e sigurisë “detyrim për t’u paraqitur”, ndërsa për 8 të tjerët nuk është caktuar asnjë masë sigurimi.
Arrestimet janë kryer gjatë tubimeve të ditëve të fundit, të cilat janë shoqëruar me incidente dhe përplasje mes protestuesve dhe efektivëve të policisë.
Pas shqyrtimit të rasteve, gjykata ka vendosur që të 38 personat të lihen të lirë, duke përcaktuar detyrimin për t’u paraqitur pranë autoriteteve vetëm për 30 prej tyre.
Vendimi vjen në një kohë kur protestat në kryeqytet vijojnë prej nëntë ditësh, ndërsa arrestimet e shoqërimet e protestuesve kanë qenë pjesë e zhvillimeve të fundit.