Seanca e sotme parlamentare është shoqëruar me përplasje mes deputetëve të opozitës dhe kreut të Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla.
Gjatë debatit, deputeti demokrat Flamur Noka iu afrua Ballës, i hoqi mikrofonin dhe hodhi letra në drejtim të tij, duke përshkallëzuar tensionet në sallën e Kuvendit.
Në momentin e incidentit, Balla po fliste për Policinë, duke argumentuar se ajo po ushtron funksionet e saj në përputhje me detyrat dhe kompetencat e përcaktuara me ligj. Deklaratat e tij u shoqëruan me reagime nga radhët e opozitës.
Përpara këtij momenti, deputetët opozitarë kishin bllokuar Foltoren e Kuvendit në shenjë proteste, ndërsa mbanin në duar fotografi të studentëve që, sipas tyre, janë dhunuar.