3 ftesa për dialog nga Rama, nga e kuqja te e zeza e deri te Guri i Xhelatit!

3 ftesa për dialog nga Rama, nga…

Prej 11 ditësh në Shqipëri, studentët po protestojnë me kërkesën e tyre të vetme: Dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Protesta të nisura me një shpirt rinor, si shqiponja të patrembura, me një mllef ndaj institucioneve qeveritare në vend dhe me thirrjen për largimin e Ramës nga pushteti.

Arrestime me forcë të të rinjve, studentë të pakënaqur, gaz lotsjellës e molotov, ishte kjo panorama e 7 ditëve protestë, deri sa në skenë dolën pedagogët. Mëngjesin e 19 tetorit, kryesia e sindikatës së Kuvendit, të drejtuar nga Aleksandër Kovaçi paralajmëroi grevë urie dhe mbështetje të rinisë, teksa fill pas kësaj, protesta ra në qetësi.

Më 20, 21 dhe 22 tetor, para Kryeministrisë, Edi Rama vendosi tri skena të njëpasnjëshme, ditën e parë, karrige të kuqe, ditën e dytë, karrige të zeza, ditën e tretë, blloqe guri, te trija objektet me mbishkrimin “DIALOG”.

Rama e quajti dialog, por politikanët zakonisht flasin më shumë përmes kodeve. Çfarë lexoi populli tek këto tri objektet që flasin më shumë se fjalët?

Tri ditë, tri pamje, tri simbole që përplasen me fjalën e vetme të shkruar mbi to.

Më 20 tetor karrige të kuqe, ngjyra e gjakut, e plagës së hapur, e zjarrit dhe e alarmit. Në sfondin e protestave, karriget e kuqe krijuan pamjen e një zone të ndezur, ku përplasja mes pushtetit dhe qytetarëve nuk mund të shuhet kollaj.

Më 21 tetor karrige të zeza, një ngjyrë që simbolizon zinë. Sikur skena të kalonte nga gjaku që derdhet te zia që mbetet. Në politikë, pamja ka peshë, kur një kryeministër zgjedh të komunikojë përmes simboleve, publiku i lexon ato në dritën e konfliktit që po zhvillohet.

Më 22 tetor stola guri, që të kujtojnë gurin e Xhelatit që në Perandorinë Osmane sulltani i përdorte për ekspozimin e kokave të të ekzekutuarve, si paralajmërim për të tjerët dhe demonstrim i autoritetit të sulltanit.

Përplasja mes fjalës “DIALOG” dhe objektit është e pamohueshme në pamje. E për çudi sot, Rama nuk u ka kujtuar studentëve dialogun dhe kjo një ditë para protestës së madhe kombëtare që pritet të mbahet nesër, të shtunën. Në politikë, pamja ka peshë, kur një kryeministër ka përballë revoltën popullore.

 

 

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit