Një denoncim i mbërritur në redaksinë tonë, i shoqëruar me fotografi dhe mesazhe nga grupi i komunikimit të punonjësve të Qarkullimit Rrugor, ngre pikëpyetje mbi mënyrën e komunikimit të drejtoreshës së Policisë Bashkiake Tiranë, Elona Lalaj, me efektivët në terren.
Në pamjet e siguruara shfaqen udhëzime për lirimin e korsive të biçikletave, ndalimin e parkimeve dyshe dhe ndërhyrjen ndaj automjeteve të parkuara në kundërshtim me rregullat. Mesazhet shoqërohen me fotografi nga terreni, ku efektivët shihen duke ushtruar kontrolle dhe duke monitoruar situatën në rrugët e kryeqytetit.
Ajo që bie në sy është gjuha e përdorur në komunikimin me punonjësit. Në një prej mesazheve shkruhet: “Nuk keni rezultate, ikni në shtëpi më mirë”, ndërsa në të tjera kërkohet angazhim më i madh për lirimin e hapësirave të qarkullimit dhe parandalimin e parkimeve të paligjshme.
Sipas denoncimit të një efektivi, pas rënies së intensitetit të protestave, kanë rifilluar aksionet për ndëshkimin e shkeljeve të rregullave të qarkullimit. Denoncuesi thotë se drejtoresha Elona Lalaj u ka kërkuar punonjësve rezultate konkrete, duke përdorur tone që ata i kanë konsideruar kërcënuese.
Mesazhet e publikuara ngrenë pikëpyetje mbi presionin që ushtrohet ndaj efektivëve gjatë kryerjes së detyrës, si dhe mbi mënyrën se si kërkohet llogari për rezultatet e punës në terren.
Ndërsa lirimi i korsive dhe parandalimi i parkimeve të paligjshme janë pjesë e zbatimit të rregullave të qarkullimit, mbetet për t’u sqaruar nëse komunikimi i përdorur ndaj punonjësve është në përputhje me standardet institucionale.
