Protesta kombëtare sot në Tiranë, studentëve u bashkohen pedagogë, mjekë dhe artistë

Protesta kombëtare sot në Tiranë, studentëve u…

Studentët nga qytete të ndryshme të Shqipërisë pritet të mblidhen këtë të shtunë, më 24 tetor, përpara Kryeministrisë në Tiranë, në kuadër të protestës kombëtare që shënon ditën e 12-të të lëvizjes studentore. Tubimi pritet të marrë përmasa më të gjera, pasi thirrjes për protestë i janë bashkuar edhe përfaqësues të profesioneve dhe grupeve të ndryshme shoqërore.

Në krah të studentëve kanë dalë pedagogë, mjekë, artistë, sipërmarrës dhe përfaqësues të sindikatave, ndërsa thirrje për mbështetje u janë drejtuar edhe shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit.

Sipas njoftimeve të organizatorëve, aktivitetet do të zhvillohen përgjatë ditës. Pedagogët pritet të mblidhen në orën 10:00 pranë Universitetit Politeknik, ndërsa punonjësit e artit dhe kulturës janë ftuar të bashkohen në orën 11:00 përpara Kryeministrisë. Protesta kryesore pritet të vijojë në orën 14:00, me bashkimin e grupeve studentore.

Edhe Partia Demokratike ka bërë thirrje për mobilizim, duke u kërkuar strukturave dhe mbështetësve të saj të dalin në mbështetje të studentëve në orën 12:00.

Ndërkohë, organizimi nuk është kufizuar vetëm në kryeqytet. Studentë nga qytete të ndryshme të vendit pritet të udhëtojnë drejt Tiranës për t’iu bashkuar protestës.

Në ditën e 12-të të saj, lëvizja studentore synon të shndërrohet në një mobilizim më të gjerë qytetar, duke bashkuar të rinjtë me profesionistë dhe përfaqësues të shtresave të ndryshme të shoqërisë. Ndër kërkesat e artikuluara nga protestuesit është edhe dorëheqja e kryeministrit, krahas kërkesave për përmirësimin e kushteve të jetesës.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit