Hekurat e lënë në mes të autostradës dëmtojnë makinën e qytetarit, rrezik për aksident

Hekurat e lënë në mes të autostradës…

Një qytetar ka denoncuar pranë redaksisë së JOQ Albania një rast shqetësues në autostradë, te mbikalimi i Rinasit, ku  pas punimeve në rrugë janë lënë hekura të papastruara dhe të pasiguruar, duke u kthyer në rrezik për drejtuesit e automjeteve.

Qytetari tregon se për shkak të hekurave të lënë në rrugë, automjeti i tij ka pësuar dëme, ndërsa situata ka qenë edhe më e rrezikshme për shkak të shpejtësisë me të cilën lëvizin makinat në autostradë. Sipas tij, prania e tyre në rrugë e ka vënë në rrezik serioz për të përfunduar në një aksident.

Rasti ngre pikëpyetje për sigurinë e punimeve dhe përgjegjësinë e personave apo subjekteve që duhet të garantojnë se rruga lihet e pastër dhe e sigurt pas ndërhyrjeve. Një hekur i lënë në asfalt mund të shkaktojë jo vetëm dëme materiale, por edhe pasoja të rënda për jetën e drejtuesve të mjeteve dhe pasagjerëve.

Qytetari kërkon që rasti të verifikohet, të identifikohen përgjegjësit dhe të mundësohet dëmshpërblimi për dëmet e shkaktuara në automjetin e tij.

Ndërkohë, mbetet e paqartë se kush mban përgjegjësi për këtë situatë dhe nëse është marrë ndonjë masë për të shmangur rreziqe të tjera në këtë segment rrugor. Qytetarët nuk mund të lihen të përballen vetë me pasojat e pakujdesisë, aq më tepër kur bëhet fjalë për një autostradë ku një pengesë e vetme mund të kthehet në shkak për një aksident të rëndë.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit