Taulant Balla paska dalë me një mesazh për Erjon Vishkullin, 28-vjeçarin që u plagos rëndë në sy nga një plumb gome gjatë protestës në Tiranë. Por në vend që mesazhi i tij të përqendrohej te një i ri që përfundoi në spital pas përplasjes me policinë, ish-ministri i Brendshëm zgjodhi t’u jepte edhe një leksion qytetarëve se si duhet të reagojnë në rrjetet sociale.
“Mos na hapni barkun ju të algoritmit, a thua ju vjen keq për Erjonin”, shkruan Balla në një replikë me komentuesit në një nga postimet e tij.
Po kush po e përdor Erjonin për algoritme, zoti Balla? Ata që po flasin për një të ri të plagosur rëndë, apo ata që po përpiqen ta kthejnë gjithë debatin te komentet në rrjetet sociale, sikur problemi kryesor të ishte mënyra si publikohet lajmi dhe jo ajo që ndodhi në rrugët e Tiranës?
Erjoni nuk është një personazh i shpikur për klikime. Është një 28-vjeçar, tifoz i Kombëtares dhe pjesë e “Tifozave Kuq e Zi”, i cili përfundoi në spital me një dëmtim të rëndë në sy. Pamjet e tij kanë tronditur opinionin publik dhe pyetjet për atë që ndodhi nuk zhduken duke përmendur algoritmet.
Dhe ironia bëhet edhe më e madhe kur këtë mesazh e publikon pikërisht Taulant Balla, i cili ka drejtuar Ministrinë e Brendshme nga korriku 2023 deri në korrik 2024 dhe sot është një nga figurat e rëndësishme të Partisë Socialiste.
Në vend të një përpjekjeje për të sqaruar përgjegjësitë dhe rrethanat e një plagosjeje kaq të rëndë, Balla merret me ata që shprehin zemërim në rrjet. Sikur qytetarët të mos kenë arsye të reagojnë, sikur pamjet të mos flasin vetë dhe sikur shqetësimi për një të ri të plagosur të ishte një marifet për të mbledhur klikime.
Zoti Balla, njerëzit nuk kanë nevojë për leksione mbi algoritmet. Kanë parë gazin lotsjellës, plumbat e gomës, shoqërimet e dhunshme dhe protestuesit e plagosur. Tani duan përgjigje për atë që ndodhi.
Kur një i ri përfundon me dëmtime të rënda në sy pas një proteste, debati nuk është se kush po merr klikime. Debati është se si përfundoi ai në atë gjendje dhe kush mban përgjegjësi.