Skënder Hita, sa kohë ju duhet për të zbuluar kush e goditi Erjonin në sy?

Skënder Hita, sa kohë ju duhet për…

Erjon Vishkulli, 28 vjeç, u plagos rëndë në syrin e majtë gjatë protestës në Tiranë. Plumbi i gomës kaloi në syrin e tij, ndërsa i riu përballet me dhimbje dhe rrezikun e humbjes së shikimit. Policia e Shtetit pranon përdorimin e plumbave të gomës, ndërsa drejtori i Përgjithshëm, Skënder Hita, shpreh keqardhje dhe njofton se për rastin kanë nisur hetimet nga AMP dhe Prokuroria.

Sa e lehtë qenka të jesh drejtor i Policisë së Shtetit, një qytetar rrezikon të humbasë syrin, institucioni shpreh keqardhje dhe çështja kalon te hetimet. Një deklaratë, një urim për shërim të shpejtë dhe, me sa duket, detyra u krye! Por zoti Hita, policia nuk është zyrë marrëdhëniesh me publikun që mjafton të publikojë një mesazh ngushëllues sa herë një qytetar del i gjakosur nga një protestë.

Kush ia shkrepi plumbin Erjon Vishkullit? Kush ishte efektivi që qëlloi? Kush dha urdhrin, nëse pati një të tillë, dhe kush do të mbajë përgjegjësi nëse provohet se forca u përdor në mënyrë të paligjshme? Nëse urdhrin nuk e dhatë ju, zoti Hita, atëherë identifikoni personin që e bëri. Apo duhet të presim që plumbi të flasë, sepse institucionet ende nuk kanë një emër për të dhënë?

Është vërtet e çuditshme se si, kur policia kërkon të tregojë forcën, shfaqet menjëherë si institucion, por kur një qytetar plagoset rëndë nga një plumb i saj, përgjegjësia bëhet çështje hetimi. Hetimi është detyrim, jo favor ndaj të plagosurit. Dhe nisja e tij nuk është provë se drejtësia po vihet në vend.

Zoti Hita, Erjoni nuk ka nevojë vetëm për urimet tuaja. Ka nevojë të dijë kush e plagosi, ndërsa publiku ka të drejtë të dijë nëse Policia e Shtetit do të identifikojë përgjegjësit apo do ta mbyllë gjithçka me një deklaratë standarde. Sepse kur një 28-vjeçar rrezikon shikimin, keqardhja institucionale nuk ia shpëton syrin dhe një njoftim për hetim nuk zëvendëson përgjegjësinë.

Zoti Hita, më pak keqardhje për konsum publik dhe më shumë përgjigje. Kush qëlloi Erjon Vishkullin? Kjo është pyetja. Dhe derisa të marrë përgjigje, çdo deklaratë tjetër mbetet vetëm një përpjekje për të fituar kohë, ndërsa një i ri po paguan me shëndetin e tij çmimin e asaj që ndodhi në protestë.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit