Një ngjarje e rëndë ka tronditur Kosovën, ku një grua është gjetur e vdekur mbrëmjen e së dielës në banesën e saj në Vitomiricë të Pejës, vetëm disa orë pasi kishte denoncuar dhunën në familje në Polici. Sipas Policisë së Kosovës, rreth orës 19:00 ishte raportuar rasti i dhunës, ndërsa bashkëshorti i viktimës ishte arrestuar dhe ndaluar për 48 orë. Pas marrjes në pyetje, gruaja ishte dërguar në shtëpinë e saj me vullnetin e saj, por rreth orës 21:10 policia u njoftua se ajo ishte gjetur pa shenja jete.
Sipas të dhënave paraprake të Policisë, dyshohet se gruaja ka humbur jetën si pasojë e goditjeve me një mjet të fortë. Si i dyshuar për vrasjen është identifikuar kunati i saj, i cili ndodhet në arrati. Ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e viktimës, ndërsa rrethanat e plota të ngjarjes mbeten objekt hetimi.
Tronditëse janë edhe detajet që lidhen me ditët para vrasjes. Tri ditë më herët, gruaja i kishte dërguar një letër kryeprokurores së Pejës, ku kërkonte ndërhyrje urgjente ndaj zyrtarëve që, sipas saj, nuk kishin përmbushur detyrat zyrtare, përfshirë zbatimin e një vendimi gjyqësor. Në letër, ajo kishte shkruar: “Uroj që të mos detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime”.