U ekzekutua disa orë pasi kërkoi ndihmë në Polici, Kuvendi i Kosovës miraton rezolutë për hetimin e vrasjes së Arlinda Zekajt

U ekzekutua disa orë pasi kërkoi ndihmë…

Kuvendi i Kosovës miratoi të hënën vonë një rezolutë me 67 vota për, pa asnjë kundër apo abstenim, që kërkon hetim parlamentar për vrasjen e 49-vjeçares Arlinda Zekaj në Pejë. Ajo dyshohet se u vra nga kunati i saj më 25 tetor, pavarësisht se kishte kërkuar vazhdimisht ndihmë nga institucionet për shkak të dhunës në familje.

Rezoluta kërkon hetimin e përgjegjësive institucionale, shqyrtimin e mënyrës se si janë trajtuar denoncimet e viktimës dhe rishikimin urgjent, brenda 72 orëve, të rasteve aktive me rrezik të lartë për dhunë në familje. Ndërkohë, debati në Kuvend u shoqërua me akuza mes pozitës dhe opozitës, ku deputetët opozitarë kërkuan dorëheqjen e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, të cilët i hodhën poshtë këto kërkesa.

Arlinda Zekaj është gruaja e tetë e vrarë nga familjarët në Kosovë gjatë këtij viti dhe viktima e 67-të që nga viti 2010. Gjatë seancës, deputetët kërkuan masa konkrete për parandalimin e dhunës, përfshirë edukimin e qytetarëve, trajnimin e policisë, gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe krijimin e mekanizmave për mbrojtjen dhe strehimin e sigurt të viktimave.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit