Kushtet në zyrat e gjendjes civile në Durrës dhe vonesat në ofrimin e shërbimeve janë bërë shkak për shqetësimin e qytetarëve.
Sipas denoncimit të një qytetari, ambientet kanë mure të mykura dhe me lagështi, ndërsa në mëngjes qytetarët janë detyruar të presin për hapjen e zyrës dhe funksionimin e sistemit kompjuterik.
Qytetari raporton se në orën 08:12 zyra ende nuk ishte hapur, ndërsa në orën 08:20 pritja vijonte. Edhe pas hapjes së zyrave dhe ndezjes së kompjuterave, qytetarët janë përballur me realitetin e trishtë, mungesën e sistemit.
“Jam në punë dhe nuk mund të pres që zyra të hapet me vonesë, të ndizet kompjuteri dhe pastaj të lutemi që sistemi të rregullohet”, shprehet qytetari, i cili thotë se u detyrua të largohej pa marrë shërbimin.
Denoncimi ngre shqetësime për kushtet e ambienteve dhe vonesat në ofrimin e shërbimeve publike, duke lënë qytetarët përballë humbjes së kohës dhe pasigurisë nëse do të mund të marrin shërbimin për të cilin janë paraqitur.