Gjykata e Tiranës ka caktuar masat e sigurisë për personat e arrestuar pas protestës, pas shqyrtimit të dy çështjeve gjatë kësaj të marte.
Në çështjen e parë, gjykata ka vendosur masën e arrestit në shtëpi për 4 persona, ndërsa për një tjetër ka caktuar ndalimin e daljes jashtë shtetit. Për 5 persona të tjerë është vendosur detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore, ndërsa një personi i janë caktuar dy masa sigurie: ndalimi i daljes jashtë shtetit dhe detyrimi për të qëndruar në një vend të caktuar.
Ndërkohë, në çështjen e dytë, 10 persona nën hetim do të jenë nën masën e detyrimit për t’u paraqitur në policinë gjyqësore. Ata dyshohen për vepra penale që lidhen me shkatërrimin e pronës, goditjet për shkak të detyrës, pjesëmarrjen në manifestime të paligjshme dhe pengimin e qarkullimit të mjeteve të transportit.
Gjykata ka urdhëruar gjithashtu lirimin e menjëhershëm të personave për të cilët nuk ekziston ndonjë shkak tjetër ligjor për mbajtjen e tyre në ndalim.
Vendimet e marra mund të ankimohen në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.