"Një plus një baraz tre": Zegjineja pranon prenotimin e apartamentit pas 1 viti deputete

“Një plus një baraz tre”: Zegjineja pranon…

Viti i parë në Kuvend duket se ka nisur të japë “frutet” e veta për deputeten socialiste Zegjine Çaushi. E përballur me akuzat e ndjekësve në rrjetet sociale se si arriti të blinte shtëpi 240 mijë euro pas vetëm 12 muajsh në karrigen e ligjvënëses, Çaushi ka zgjedhur të marrë rolin e “shqiptares së thjeshtë e të zakonshme” që thjesht merr kredi.

Në stilit klasik të arsyetimit politik, deputetja nxitoi të sqaronte se nuk ka blerë ndonjë shtëpi të përfunduar, por “thjesht” ka bërë një prenotim me këste e kredi në një pallat që as nuk ka nisur ende të ndërtohet!

Mungon vetëm një detaj i vogël: Çmimi!

Përmes një modestije të admirueshme, Zegjineja tentoi t’u mbushte mendjen komentuesve se të prenotosh apartamente që pa u hedhur themelet është përditshmëria e çdo qytetari në Shqipëri:

“Unë kam prenotuar një apartament, siç bëjnë mijëra shqiptarë, me kredi dhe me këste, në një pallat që ende nuk ka nisur të ndërtohet”, shkruan ajo me mllef ndaj atyre që sipas saj shpikin shifra pas tastierës.

Ajo i sfidoi ndjekësit të paraqisnin faktet se ku bazohen për shifrën 240 mijë euro, por duke bërë këtë, deputetja u kujdes me shumë art të mos tregonte fare se sa kushton në të vërtetë ky apartament i prenotuar. Kushton 100 mijë, 200 mijë apo më shumë? Për këtë “hollësi”, Zegjineja preferoi të ruante heshtjen.

Matematika e pushtetit

Siç e cilësoi edhe komentuesi që i kujtoi se “1+1 bëjnë 3” kur futesh në politikë, mbetet për t’u parë se si do të duken këstet e kësaj kredie dhe çmimi real i pronës kur të vijë koha për të deklaruar pasurinë.

Deri atëherë, mjafton të ngushëllohemi me faktin se deputetja nuk po jeton ende në luksin e përfunduar, thjesht ka zënë radhën që pa nisur gërmimet, ndërsa çmimin e mban me “sekret shtetëror”

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit