Kontabilistët, audituesit dhe përfaqësuesit e Dhomave të Tregtisë kundërshtuan paketën, duke paralajmëruar se rritja e tatimit mbi fitimin e korporatave dhe dividendin mund të dobësojë konkurrueshmërinë e Shqipërisë dhe të nxisë largimin e bizneseve drejt vendeve të tjera të rajonit. Ata shprehën gjithashtu shqetësime për uljen e pragut të regjistrimit të detyrueshëm në TVSH nga 10 milionë në 5 milionë lekë xhiro vjetore, masë që sipas tyre do të shtojë kostot për bizneset e vogla. Përfaqësuesit e Dhomës Amerikane dhe asaj Zvicerane të Tregtisë kritikuan mungesën e konsultimit të mjaftueshëm publik dhe shpejtësinë me të cilën po ndërmerren ndryshimet.
Një tjetër shqetësim kryesor lidhet me efektin real të uljes së TVSH-së te konsumatorët. Ekspertët e kontabilitetit argumentuan se kjo masë nuk garanton uljen e çmimeve, pasi përfitimi mund të përthithet nga bizneset dhe të mos reflektohet në faturën e qytetarëve. Ndërkohë, paralajmëruan se rritja e barrës fiskale mund të përkthehet në çmime më të larta, presion inflacionist dhe kosto shtesë për sektorë të ndryshëm, përfshirë ndërtimin dhe shërbimet. Përfaqësuesit e biznesit kërkuan më shumë kohë për konsultime dhe analiza përpara miratimit të paketës fiskale.