5 akuza për 15 raste, por Balluku mposht drejtësinë dhe i shpëton burgut

5 akuza për 15 raste, por Balluku…

Belinda Balluku, ish-zëvendëskryeministrja që përballet me pesë akuza penale për 15 raste të dyshuara, është paraqitur në SPAK e shoqëruar nga avokati Ardian Kalia, për t’i komunikuar mbylljen e hetimeve. Pra Balluku sot i shpëtoi burgut. Dosja pritet të kalojë në Gjykatën e Posaçme, ndërsa publiku pret të shohë nëse drejtësia do të shkojë deri në fund apo do të mjaftohet me procedura, shkresa dhe konferenca. Sepse në Shqipëri, kur bëhet fjalë për qytetarët e zakonshëm, drejtësia shpesh duket e shpejtë në ndëshkim, por kur në skenë dalin emra të rëndësishëm të pushtetit, pritja kthehet në një provë durimi.

Akuzat për shkelje të barazisë në tendera, korrupsion dhe çështje që lidhen me pasurinë janë tepër serioze për t’u trajtuar si një episod i radhës në serialin e pafund të politikës shqiptare. Por pyetja që rëndon mbi institucionet nuk është vetëm sa akuza janë ngritur, por nëse ato do të marrin përgjigje përmes një procesi të drejtë, të pavarur dhe pa standarde të dyfishta. Qytetarët nuk kanë nevojë për spektaklin e dosjeve që kalojnë nga një institucion në tjetrin; kanë nevojë të shohin se ligji nuk njeh tituj, poste, miqësi apo pushtet. Drejtësia nuk matet me numrin e faqeve të një dosjeje, por me guximin për ta çuar atë deri në fund.

Dhe ja ku vjen pyetja që nuk shuhet, po burgu për Belinda Ballukun, apo edhe kjo çështje do të bëhet një tjetër maratonë juridike pa fund? Askush nuk mund të shpallë fajtor një person pa një vendim gjyqësor, por askush nuk mund t’i kërkojë as publikut të duartrokasë vetëm sepse hetimet po mbyllen. SPAK-u duhet të provojë akuzat, gjykata të vendosë mbi provat dhe drejtësia të tregojë se është e barabartë për të gjithë. Sepse nëse ligji është i fortë vetëm për të dobëtit dhe i kujdesshëm deri në pafundësi për të pushtetshmit, atëherë problemi nuk është vetëm te një dosje, por te besimi i një shoqërie të tërë. Në fund, qytetarët nuk kërkojnë spektakël me pranga, por drejtësi pa imunitet nga përgjegjësia.

 

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit