Sipas mediave belge, fituesi është penduar për publicitetin që mori pas fitores, pasi jeta e tij ka ndryshuar ndjeshëm. Atij i mungojnë veçanërisht vizitat në klubin FC Kosova në Bruksel, ku më parë takohej me miqtë. Që nga fitorja, ai është kthyer vetëm dy herë në lagjen e tij të vjetër dhe, sipas miqve, të dyja herët ka qenë i shoqëruar nga një truprojë. Ata paralajmërojnë se publikimi i më shumë informacioneve për jetën e tij mund ta ekspozojë ndaj rrezikut të shantazhit apo rrëmbimit.
Për të jetuar më i qetë, shqiptari ka blerë një shtëpi disa dhjetëra kilometra larg Brukselit, por nuk dëshiron të largohet nga Belgjika, vend ku u vendos rreth 15 vjet më parë pasi u largua nga Kosova për shkak të luftës. Një arsye e rëndësishme për të qëndruar janë edhe katër fëmijët e tij, të cilët janë rritur dhe vazhdojnë studimet në Belgjikë. Pavarësisht pasurisë së jashtëzakonshme, fituesi tashmë përballet me sfidën e ruajtjes së privatësisë dhe sigurisë, duke u përpjekur të vazhdojë jetën në vendin që e konsideron shtëpi.