Pastori që e martoi Veliajn me pensionin e mamit e transferoi sot në Fier

Pastori që e martoi Veliajn me pensionin…

Një zhvillim i papritur ka ndodhur me lëvizjen e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili pas qëndrimit në paraburgimin e Durrësit, sot është transferuar zyrtarisht drejt burgut të Fierit. Urdhri i transferimit është ekzekutuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, institucion që varet drejtpërdrejt nga Ministria e Drejtësisë.

Ironia qëndron në faktin se Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, një figurë e lidhur ngushtë me Veliajn jo vetëm në politikë, por edhe në jetën private e shpirtërore.

Përpara se të ngjiste shkallët e pushtetit politik si zëvendësministër, prefekt, kryetar i Këshillit Bashkiak e tashmë ministër, Toni Gogu njihej në publik si Pastor.

Rruga e tij e besimit nisi në moshën 19-vjeçare, në vitin 1991, menjëherë pas rrëzimit të diktaturës komuniste. Siç ka rrëfyer vetë, ishin një grup vullnetarësh anglezë që i dhuruan një Bibël, duke e shtyrë të përfshihej thellësisht në fenë protestante e më pas t’i bashkohej Shoqërisë Biblike Ndërkonfesionale të Shqipërisë.

Rrethanat e sollën që po ky pastor të celebronte martesën e bujshme të Erion Veliajt me Ajola Xoxën, një ceremoni që bëri bujë të madhe publike për shkak të deklaratave të famshme të kryebashkiakut se e gjithë dasma e tij luksoze në Kalanë e Gjirokastrës ishte mbuluar nga kursimet e pensionit të nënës së tij.

Lidhja e hershme mes pastorit dhe Veliajt u pasua nga një ngritje e shpejtë e Gogut në funksione të rëndësishme shtetërore e politike brenda radhëve të mazhorancës.

Ironia e fatit e solli që pikërisht pastori që dikur i vendosi kurorën e martesës kryebashkiakut të Tiranës, sot nga zyra e Ministrit të Drejtësisë të firmosë dhe të zbatojë urdhrin për transferimin e tij nga qelitë e paraburgimit të Durrësit drejt burgut të sigurisë në Fier.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit