Debate janë zhvilluar brenda grupit parlamentar të Partisë Socialiste lidhur me transferimin e Erion Veliajt nga burgu i Durrësit në atë të Fierit. Sipas informacioneve të bëra publike, diskutimi nisi pas kërkesës për dorëheqje që Bledi Çuçi i drejtoi ministrit Toni Gogu, në lidhje me situatën dhe procedurat e transferimit të kryebashkiakut të Tiranës.
Ministri Toni Gogu reagoi duke sqaruar se nuk kishte marrë informacion zyrtar për transferimin e Veliajt. Ai bëri të ditur se i kishte kërkuar drejtoreshës së Përgjithshme të Burgjeve një relacion zyrtar për këtë çështje. Megjithatë, Gogu theksoi se, sipas informacionit operacional që dispononte, Veliaj ishte mirë, ndodhej në një mjedis të sigurt dhe kishte rifilluar të ushqehej.
Në reagimin e tij përpara grupit, Gogu iu drejtua Çuçit duke i thënë se mund ta kishte pyetur privatisht, ashtu siç vepronin për çështje të tjera. “Zyrtarisht nuk kam informacion për transferimin. I kam kërkuar relacion zyrtar drejtoreshës së përgjithshme të Burgjeve. Nga ana operative, po të informoj se Erioni është mirë, në një mjedis të sigurt. Ka filluar edhe të ushqehet”, deklaroi ministri, duke sqaruar qëndrimin e tij për situatën.