Fjalët e fundit të Arlindës drejtuar Policisë së Kosovës

Fjalët e fundit të Arlindës drejtuar Policisë…

“Të lutem! A është shumë thjesht: Të gjitha gratë kështu janë përgjigjur pasi janë vrarë, apo?” Këto fjalë rrëqethëse dhe të mbushura me pafaqësi, të thëna me një zë të mbytur nga dëshpërimi, mbeten goditja më e fortë mbi ndërgjegjen e një shteti të tërë. Arlinda Zekaj nuk po kërkonte favore dhe as mëshirë; ajo po kërkonte të drejtën më elementare njerëzore, mbrojtjen e jetës së saj nga institucionet që ligjërisht ekzistojnë për ta garantuar atë.

Ngjarja tragjike që tronditi Vitomiricën e Pejës nuk erdhi si një vetëtimë në qiell të hapur, por si pika e fundit e një kronike të paralajmëruar dhune e neglizhence. Për muaj me radhë, 49-vjeçarja u përfshi në betejë ligjore e denoncime të njëpasnjëshme për dhunë në familje, kanosje dhe konflikt për kujdestarinë e djalit. Pavarësisht se kishte arritur të siguronte edhe një urdhër mbrojtjeje nga gjykata, alarmi i saj për rrezikun e jetës u injorua vazhdimisht deri në momentet e fundit.

Mbrëmjen e 25 tetorit, historia mori rrjedhën më fatale. Mbështetur mbi urdhrat institucionalë dhe e shoqëruar nga vetë organet e rendit, Arlinda u rikthye në shtëpinë e saj. Por vetëm pak minuta pasi patrulla policore u largua, vendi u shndërrua në skenën e një krimi makabër, ku ajo u godit barbarisht për vdekje. Për vrasjen dyshohet kunati i saj, duke e kthyer këtë ngjarje në një nga dështimet më të rënda të zinxhirit mbrojtës të shtetit.

Sot, fjalët e saj nuk janë thjesht një incizim apo letër ankesë e lënë pas, por një padi publike ndaj çdo zyrtari që zgjodhi të heshtë e të vonesë reagimin. Ajo e paralajmëroi me zë të lartë se mosveprimi i institucioneve do t’i merrte jetën, duke lënë pas pyetjen e dhimbshme që do të vazhdojë të jetë dëshmi e dështimit shtetëror: sa gra të tjera duhet të flasin pasi të kenë vdekur që shteti më në fund të përgjigjet?

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit