Alarm në burgun e Burrelit? Dyshime për 4 raste me hepatit B pas vizitave te dentisti

Alarm në burgun e Burrelit? Dyshime për…

Një qytetar i është drejtuar JOQ Albania për të denoncuar një situatë shqetësuese që, sipas tij, ka ndodhur në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Burrel.

Sipas denoncuesit, katër të burgosur dyshohet se janë infektuar me hepatit B. Ai thotë se njëri prej tyre ka rezultuar pozitiv pas kontrolleve mjekësore në Tiranë dhe se, pas trajtimeve dentare në ambientet e burgut, dyshohet se edhe tre të burgosur të tjerë janë infektuar me të njëjtën sëmundje.

Denoncuesi ngre dyshime se infektimi mund të ketë ardhur si pasojë e sterilizimit të papërshtatshëm të mjeteve dentare. Megjithatë, këto pretendime mbeten të paverifikuara dhe kërkojnë hetim nga institucionet përgjegjëse.

Ai shpreh gjithashtu shqetësimin se rasti mund të mos jetë trajtuar me transparencën e duhur nga administrata e burgut dhe kërkon verifikimin e menjëhershëm të gjendjes shëndetësore të të burgosurve.

Përmes këtij denoncimi, qytetari u bën thirrje institucioneve përgjegjëse që të verifikojnë analizat mjekësore, të kontrollojnë kushtet higjienike dhe procedurat e sterilizimit të pajisjeve dentare, si dhe të hetojnë nëse ka pasur shkelje apo neglizhencë.

A do të ketë një reagim nga institucionet përgjegjëse për të sqaruar këtë situatë dhe për të garantuar sigurinë shëndetësore të të burgosurve mbetet për t’u parë pasi edhe pas hekurave, shëndeti dhe jeta e njeriut duhet të mbrohen!

Denoncimi i plotë:

Përshëndetje JOQ! Dua të bëj një denoncim shumë serioz për një ngjarje që ka ndodhur në burgun e sigurisë së lartë në Burrel (IEVP Burrel). Kam një familjar timin në këtë institucion dhe, sipas informacioneve që kam marrë, katër të burgosur janë infektuar me hepatitin B.

Njëri prej të burgosurve ka qenë i infektuar me hepatitin B dhe është dërguar në Tiranë për kontrolle mjekësore, ku ka rezultuar pozitiv. Ky i burgosur ka kryer trajtim te dentisti i burgut dhe, sipas informacioneve që kam marrë, edhe tre të burgosur të tjerë janë infektuar me të njëjtën sëmundje pas trajtimeve dentare. Dyshohet se transmetimi i infeksionit ka ndodhur për shkak të mjeteve dentare që mund të mos jenë sterilizuar siç duhet.

Ajo që më shqetëson më shumë është se administrata e burgut, sipas informacioneve që kam, po përpiqet ta fshehë këtë ngjarje që të mos bëhet skandal publik. Të burgosurve u thuhet se nuk kanë asgjë, ndërkohë që bëhet fjalë për një sëmundje infektive serioze.

Unë pyes: Kush mban përgjegjësi për shëndetin e këtyre njerëzve? Kush i kontrollon kushtet higjienike dhe sterilizimin e mjeteve dentare? Përse nuk po bëhet një hetim i hapur për këtë situatë? Të burgosurit janë aty për të vuajtur dënimin, jo për të marrë sëmundje që mund t’u rrezikojnë jetën!

Kërkoj nga JOQ ta publikojë këtë denoncim dhe nga institucionet përgjegjëse të hetojnë urgjentisht rastin, të verifikojnë analizat e katër të burgosurve dhe të kontrollojnë kushtet e trajtimit dentar në këtë institucion. Nëse vërtetohet se infektimi ka ndodhur për shkak të neglizhencës dhe se ngjarja është fshehur qëllimisht, përgjegjësit duhet të përballen me ligjin.

Ju lutem, ruani anonimatin tim dhe të familjarit tim, sepse kam frikë nga hakmarrja dhe pasojat që mund të ketë ai brenda burgut. EDHE PAS HEKURAVE, JETA E NJERIUT ËSHTË E SHENJTË! Ju kërkoj ta merrni seriozisht këtë denoncim dhe ta bëni publik, sepse bëhet fjalë për shëndetin dhe jetën e katër të burgosurve.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit