Një automjet ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në kanal në autostradën Tiranë-Durrës, pranë Urës së Dajlanit, teksa dyshohet se drejtuesi po tentonte t’u largohej efektivëve të Policisë Rrugore.
Sipas informacionit paraprak, shoferi nuk i është bindur urdhrit të policisë për të ndaluar, duke bërë që efektivët të nisin ndjekjen e automjetit. Gjatë saj, drejtuesi ka humbur kontrollin dhe makina ka përfunduar në kanal.
Në vendngjarje kanë ndërhyrë shërbimet zjarrfikëse, të cilat kanë bërë të mundur nxjerrjen e drejtuesit nga automjeti dhe transportimin e tij drejt spitalit.
Dyshimet paraprake janë se shoferi ishte në gjendje të dehur. Pritet që verifikimet e mëtejshme të sqarojnë rrethanat e ngjarjes.