E sëmurë dhe e vetmuar, 69-vjeçarja nga Kombinati në pritje të shtëpisë: Duan të vdesim

E sëmurë dhe e vetmuar, 69-vjeçarja nga…

Ndërsa më 10 nëntor pritet të hidhet shorti për apartamentet e mbetura në lagjen e re të rindërtimit në Kombinat, shqetësime të forta ngrihen nga banorët që prej vitesh presin të përfitojnë një strehim të sigurt.

Në redaksinë tonë ka mbërritur një denoncim që ngre pikëpyetje mbi mënyrën e përzgjedhjes së përfituesve dhe përfshirjen në listat e shortit të personave më në nevojë, veçanërisht të moshuarve, të vetmuarve dhe qytetarëve me probleme shëndetësore.

Në qendër të këtij shqetësimi është rasti i Sabrina Qoljës, 69 vjeçe, ish-banore e pallatit 105, në rrugën Petraq Leka, në Kombinat. Ajo është e sëmurë, jeton e vetme dhe, pavarësisht viteve të pritjes, ende nuk ka mundur të sigurojë një banesë.

Sipas denoncimit, zonja Qolja është paraqitur pranë Njësisë Administrative Kombinat për të kërkuar informacion mbi mundësinë e përfshirjes në shortin e apartamenteve. Përgjigjja që thotë se ka marrë ka qenë tronditëse: “Ke pritur 7 vjet, do të presësh edhe dy vite të tjera!”

Ajo ka dyshime se Bashkia po e shtyn sa më shumë dhënien e banesës së saj që ajo të ndërrojë jetë dhe banesën ta marrë dikush tjetër.

Ndërkohë, sipas qytetares që ka ngritur shqetësimin, disa banorë janë kontaktuar në telefon nga strukturat e Minibashkisë për procesin e shortit, ndërsa persona të tjerë, të cilët ndodhen në kushte të vështira sociale dhe ekonomike nuk janë përfshirë në listat përkatëse.

Rasti i 69-vjeçares ngre një pyetje që kërkon përgjigje nga institucionet: A po merren parasysh realisht nevojat e qytetarëve më të pambrojtur në procesin e rindërtimit?

Pas shtatë vitesh pritjeje, për një grua të moshuar, të sëmurë dhe pa mbështetje familjare, dy vite të tjera nuk janë thjesht një afat kohor. Janë dy vite të tjera pasigurie, qiraje dhe pritjeje për një të drejtë kaq themelore: një çati mbi kokë.

Kërkohet transparencë nga institucionet përgjegjëse për kriteret e përzgjedhjes, listat e përfituesve dhe arsyet e mos përfshirjes së qytetarëve që pretendojnë se kanë mbetur jashtë procesit.

Zonja Sabrina Qolja kërkon vetëm atë që pret prej vitesh: një mundësi për të pasur një shtëpi ku të jetojë e qetë dhe me dinjitet.

Institucionet përgjegjëse duhet të japin një përgjigje publike për këtë rast.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit