Gazmend Hoxha jep dorëheqjen nga drejtimi i Policisë së Kosovës, në një kohë kur vendi është tronditur nga vrasja e Arlinda Zekajt dhe dyshimet për neglizhencën e institucioneve që duhej ta mbronin. Kryeministri Albin Kurti e ka pranuar kërkesën e tij për largim nga detyra, ndërsa 11 zyrtarë policorë janë pezulluar pas rekomandimit të Inspektoratit Policor. Në vend të Hoxhës është caktuar Fehmi Hoti si ushtrues detyre i drejtorit të përgjithshëm. Një vendim që rikthen në qendër të vëmendjes përgjegjësinë e drejtuesve të institucioneve përballë dështimeve që kushtojnë jetë njerëzish.
Një panoramë krejt tjetër paraqitet në Shqipëri, ku përgjegjësia në nivelet e larta të Policisë së Shtetit rrallë shoqërohet me dorëheqje për dështimet institucionale. Përkundrazi, reagimi politik shpesh është mbështetja publike dhe vlerësimi për uniformat blu, edhe në situata kur ngjarje të rënda ngrenë pikëpyetje mbi funksionimin e policisë.
Dallimi është te standardi i llogaridhënies. Në Kosovë, pas një tragjedie që ngre dyshime për mosveprim institucional, drejtuesi më i lartë i policisë largohet nga detyra, ndërsa përgjegjësitë po hetohen në disa nivele. Në Shqipëri, qytetarët shpesh përballen me një realitet tjetër, kritikat ndaj policisë trajtohen si sulme politike, ndërsa mbështetja e qeverisë bëhet më e dukshme se kërkesa për përgjegjësi. Dhe pikërisht këtu qëndron pyetja, kush mban përgjegjësi kur institucionet që duhet të garantojnë sigurinë e qytetarëve dështojnë? Sepse besimi te uniformat blu nuk ndërtohet me duartrokitje nga qeveria, por me drejtësi, transparencë dhe llogaridhënie.