Berlini në shtetrrethim, protestat e "Gen Z" ngrenë në këmbë autoritetet

Berlini në shtetrrethim, protestat e “Gen Z”…

Kryeqyteti gjerman, Berlini, po përgatitet për një ditë të tensionuar më 31 tetor, kur mijëra të rinj pritet të dalin në rrugë në kuadër të protestës së organizuar nga iniciativa “Gen Z regelt”. Tubimi, i planifikuar të zhvillohet pikërisht në natën e Halloween-it, ka vënë në lëvizje autoritetet, të cilat kanë vendosur të angazhojnë forca të shumta policore për të garantuar rendin dhe sigurinë.

Sipas mediave gjermane, rreth 1,500 efektivë policie shtesë do të jenë në terren gjatë së shtunës, ndërsa në gatishmëri do të qëndrojnë edhe autobotët me ujëhedhës, në rast se situata del jashtë kontrollit.

Protesta kryesore pritet të nisë në orën 14:00, pranë Portës së Brandenburgut, ku organizatorët presin rreth 10 mijë pjesëmarrës. Në tubim pritet të marrin pjesë nxënës, studentë dhe prindër. Organizatorët kanë paralajmëruar protesta të ngjashme edhe në rreth 30 qytete të tjera gjermane.  Lëvizja kërkon reformim të thellë të arsimit, më shumë investime publike, strehim të përballueshëm, mbrojtje më të fortë sociale, si dhe shpreh kundërshtim të hapur ndaj diskutimeve politike për rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak

Megjithatë, në Berlin nuk do të ketë vetëm një tubim. Një tjetër marshim është paralajmëruar në orën 17:30, në zonën e Rosenthaler Platz, ku policia pret fillimisht 400 deri në 500 pjesëmarrës. Ky tubim shihet me më shumë shqetësim nga autoritetet, për shkak të mundësisë së përfshirjes së grupeve të tjera në protestë.

Pavarësisht mobilizimit të jashtëzakonshëm policor, autoritetet gjermane kanë sqaruar se deri më tani nuk kanë identifikuar thirrje konkrete për dhunë apo plane të organizuara për grabitje. Megjithatë, frika nga përsëritja e skenave të trazirave të regjistruara në Francë ka bërë që policia të jetë në gatishmëri të lartë, veçanërisht gjatë orëve të mbrëmjes, kur festimet e Halloween-it mund të krijojnë situata të paparashikueshme.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit