Zbardhet vrasja e shqiptarit në Itali, autori: E qëllova 3 herë për borxhin e drogës

Zbardhet vrasja e shqiptarit në Itali, autori:…

Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me vrasjen e 31-vjeçarit shqiptar Denaldo Maxhalaku në Itali. 29-vjeçari Daniele Sartini, i dyshuar si autor i krimit, ka pranuar para hetuesve se e ka vrarë shqiptarin, duke rrëfyer edhe mënyrën se si ndodhi ngjarja dhe çfarë bëri më pas për të fshehur krimin.

Sartini, banues në Longiano, ka pohuar se është personi që qëlloi për vdekje Maxhalakun, trupi i të cilit u zbulua më 28 tetor në një pus betoni në zonën e Felloniche, në territorin e Longianos, provinca e Çezenës. Sipas pistës hetimore, shkak i vrasjes ishte një borxh prej 1500 eurosh për drogë, të cilin 29-vjeçari ia kishte viktimës.

Prokurori i Forlit, Enrico Cieri, konfirmoi se i dyshuari ka dhënë një dëshmi të detajuar, duke sqaruar rrethanat e ngjarjes dhe veprimet e ndërmarra për të mos lënë gjurmë që mund ta lidhnin me zhdukjen e shqiptarit.

“Daniele Sartini ka dhënë një rrëfim të plotë që sqaron çdo aspekt të çështjes. Ai e fshehu trupin për të mos u gjetur dhe u përpoq të zhdukte çdo gjurmë që mund ta lidhte me zhdukjen e këtij personi”, deklaroi prokurori.

Sipas rindërtimit të bërë nga hetuesit, vrasja ka ndodhur më 7 tetor, plot tri javë përpara se trupi i 31-vjeçarit të zbulohej.

Atë mbrëmje, Maxhalaku dhe Sartini ishin takuar pranë banesës së këtij të fundit në Longiano. Takimi kishte si qëllim diskutimin e borxhit prej 1500 eurosh që lidhej me drogën. Shqiptari kërkonte kthimin e parave, ndërsa biseda mes tyre dyshohet se degjeneroi në konflikt.

Gjatë përplasjes, Sartini, i cili në atë moment ndodhej i vetëm në banesë, hyri brenda dhe mori një pistoletë të markës Glock, të kalibrit 40. Më pas, ai qëlloi tri herë në gjoks 31-vjeçarin, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Përpara karabinierëve, 29-vjeçari nuk e ka mohuar përfshirjen e tij në ngjarje. I pyetur nga hetuesit, ai ka pranuar autorësinë me fjalët: “Isha unë”. Si shpjegim për veprimin e tij, Sartini ka pretenduar se ishte ndjerë i kërcënuar.

“Kisha frikë për veten dhe familjen time, u ndjeva i kërcënuar”, ka deklaruar ai gjatë marrjes në pyetje.

Pas ekzekutimit të krimit, i dyshuari dyshohet se ka vendosur trupin e viktimës në automjet dhe e ka transportuar drejt një zone fushore, ku e ka hedhur në një pus betoni që shërbente për kullimin e ujërave. Për të humbur gjurmët, ai dyshohet se i ka vënë flakën edhe automjetit të shqiptarit.

Në identifikimin e autorit të dyshuar kanë ndihmuar hetimet e drejtuara nga komandanti i karabinierëve të Forlit, Michele Trecca. Analizimi i tabulateve telefonike dhe verifikimet e kryera nga autoritetet zbuluan se Sartini ishte personi i fundit që kishte komunikuar me Maxhalakun përpara se ky i fundit të humbiste kontaktet.

Pas pranimit të krimit, 29-vjeçari është transferuar në burgun e Forlit, ku ndodhet aktualisht nën masën e ndalimit. Ai përballet me akuzat për vrasje dhe fshehje të kufomës.

Në vijim, pritet që gjyqtari i hetimeve paraprake të shqyrtojë dhe të vendosë për vlefshmërinë e ndalimit, ndërsa prokuroria pritet të kërkojë caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg”.

Ndërkohë, hetuesit kanë sekuestruar armën e zjarrit dhe veshjet e të dyshuarit, të cilat do të analizohen përmes ekspertizave përkatëse. Në ditët në vijim pritet të kryhet edhe autopsia e trupit të 31-vjeçarit, e cila mund të ndihmojë në sqarimin e mëtejshëm të rrethanave të vrasjes.

Bashkëshortja e viktimës, e cila kishte bërë denoncimin zyrtar për zhdukjen e tij, po përfaqësohet nga avokati Raffaele Pacifico.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit