Banorët e Qerekës në pikë të hallit: Zhavorri ka bllokuar pusetat, bashkia nuk ndërhyn

Banorët e Qerekës në pikë të hallit:…

Banorët e fshatit Qerekë, në Bashkinë e Krujës, po përballen me probleme të vazhdueshme me infrastrukturën rrugore dhe mirëmbajtjen e pusetave të ujërave.

Përmes një videoje denoncuese, një qytetar shpreh pakënaqësinë për gjendjen në të cilën ndodhet zona, duke thënë se mungesa e ndërhyrjes nga institucionet i ka detyruar banorët të merren vetë me pastrimin e pusetave.

Sipas tij, sasia e madhe e zhavorrit në rrugë ka bërë që pusetat të bllokohen, ndërsa rruga vijon të jetë e pasistemuar dhe pa asfalt. Kjo situatë, siç shprehet qytetari, po u shkakton vështirësi të shumta banorëve, të cilët kërkojnë një zgjidhje konkrete dhe jo ndërhyrje të përkohshme.

Qytetari shprehet me tone të revoltuara se banorët janë të detyruar të kujdesen vetë për pastrimin e pusetave, pasi sipas tij, problematika nuk po merr zgjidhjen e duhur.

“Po detyrohemi ne banorët t’i pastrojmë pusetat e fshatit Qerekë. Kamionin per pastrimin e pusetave e kemi paguar me lekët tona. Bashkia nuk ekziston, jemi të bllokuar këtu. Edhe rruga është bërë shumë keq, nuk kemi asfalt. Çfarë të bëjmë ne tani?“, shprehet ai në videon denoncuese.

Banori kërkon ndërhyrjen e Bashkisë Krujë për pastrimin e pusetave, sistemimin e rrugës dhe asfaltimin e saj, duke theksuar se situata nuk mund të vijojë më tej në këtë mënyrë.

Banorët presin që shqetësimi i tyre të marrë vëmendjen e institucioneve përgjegjëse dhe që të ndërmerren masa konkrete për përmirësimin e infrastrukturës në fshatin Qerekë.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit