SI SOT/ Një vit nga komunikimi i akuzës për Belinda Ballukun, por ajo vijon të endet e lirë

SI SOT/ Një vit nga komunikimi i…

Më 31 tetor 2025, SPAK i komunikoi zyrtarisht Belinda Ballukut akuzën për “Shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në lidhje me procedurën e prokurimit për ndërtimin e tunelit të Llogarasë. Një vit më parë, ish-ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë u paraqit në Prokurorinë e Posaçme, ku mori zyrtarisht statusin e të pandehurës. Këtë vit, para pak ditësh ajo u rikthye në SPAK, këtë herë për t’u njohur me përfundimin e hetimeve, e shoqëruar nga avokati i saj, Ardian Kalia.

 

Pas një viti hetimesh, Balluku përballet me pesë akuza penale që lidhen me 15 raste të dyshuara. Por mbyllja e hetimeve ngre një tjetër pikëpyetje: çfarë do të ndodhë më tej? Ish-zëvendëskryeministrja i ka shpëtuar deri më tani një vendimi që do ta çonte pas hekurave, ndërsa dosja pritet të kalojë në Gjykatën e Posaçme. Mbyllja e hetimeve nuk do të thotë as pafajësi dhe as shpallje fajtorësie, por shënon përfundimin e fazës hetimore dhe hapjen e rrugës drejt fazës së ardhshme të procesit.

 

Dhe pikërisht këtu nis prova e vërtetë për drejtësinë shqiptare. Për sa kohë që qytetarët e zakonshëm përballen me shpejtësinë e institucioneve, rastet që përfshijnë emra të rëndësishëm të pushtetit shoqërohen shpesh me pritje dhe procedura të gjata. A do të përfundojë kjo dosje me një gjykim të plotë dhe një vendim të bazuar në prova, apo do të mbetet një tjetër çështje që zvarritet në korridoret e drejtësisë? Publiku nuk kërkon dënime të paracaktuara dhe as spektakël me pranga. Kërkon përgjigje, transparencë dhe mbi të gjitha, që ligji të jetë i njëjtë për të gjithë. Sepse mbyllja e hetimeve nuk është fundi i çështjes, por vetëm fillimi i llogaridhënies përpara gjykatës.

 

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit