Një situatë shqetësuese është krijuar në aksin rrugor Krumë–Kukës, ku vetëm gjatë ditës së sotme janë regjistruar tre aksidente rrugore, duke ngritur alarmin për sigurinë e qarkullimit në këtë segment.
Sipas informacioneve paraprake, dy aksidente kanë ndodhur në zonën e Qafë Toblit, në një distancë prej vetëm rreth 200 metrash nga njëri-tjetri, ndërsa një tjetër aksident është regjistruar në zonën e Vranishtit.
Një tjetër ngjarje rrugore është regjistruar rreth orës 08:50, në vendin e njohur si “Lugina e Drinit të Zi”, ku një automjet ka dalë nga rruga. Si pasojë, kanë mbetur të plagosur drejtuesi 66-vjeçar dhe pasagjeri 21-vjeçar. Fatmirësisht, të dy ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Shqetësimi bëhet edhe më i madh për shkak të gjendjes së rrugës, e cila në disa segmente paraqitet tepër e rrëshqitshme dhe me vaj, duke vështirësuar qarkullimin dhe rritur rrezikun për aksidente.
Përballë kësaj situate, lind nevoja për një reagim të menjëhershëm nga institucionet përgjegjëse. Drejtuesit e mjeteve kërkojnë ndërhyrje për pastrimin, mirëmbajtjen dhe sigurimin e këtij aksi, në mënyrë që të shmangen aksidente të tjera.