Benz-i del nga rruga dhe bie në humnerë: Plagoset i riu, gjendet një armë zjarri

Benz-i del nga rruga dhe bie në…

Një aksident i rëndë është regjistruar në fshatin Farret të Librazhdit, ku një automjet tip “Mercedes-Benz” ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në një humnerë, rreth 150 metra larg aksit rrugor.

Në timonin e automjetit me targa AB178DV ndodhej 22-vjeçari Renis Pajtim Kalnxhi, i cili ka mbetur i plagosur dhe është transportuar drejt Spitalit të Librazhdit. Sipas informacioneve paraprake, gjendja e tij shëndetësore paraqitet jashtë rrezikut për jetën.

Gjatë kontrollit në vendin e ngjarjes, policia nuk ka konstatuar persona të tjerë që mund të kenë qenë në automjet. Megjithatë, pranë makinës së dëmtuar, efektivët kanë gjetur një armë zjarri të tipit pistoletë.

Ndërkohë, sipas mediave, dyshohet se 22-vjeçari mund të ketë qenë i përfshirë në një konflikt përpara aksidentit, ku mund të ketë pësuar edhe dëmtime fizike.

Mbetet ende e paqartë nëse konflikti i dyshuar lidhet me daljen e automjetit nga rruga apo me armën e zjarrit të gjetur pranë vendit të aksidentit.

Policia e Librazhdit vijon hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje, origjinën e armës së gjetur dhe nëse persona të tjerë mund të kenë qenë të përfshirë.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit