Sipas kallëzimit, emigrantët shqiptarë në Nju Jork dhe Michigan kishin mbledhur qindra mijëra dollarë për rindërtimin e kishës, ndërsa organizata “Diaspora për Shqipërinë e Lirë” kishte siguruar mbi 500 mijë dollarë donacione. Sipas Bold News, projekti, i nisur në vitin 2023, parashikonte një investim që fillimisht ishte vlerësuar rreth 400 mijë dollarë, por më pas shifra kishte arritur në 1.7 deri në 2 milionë dollarë. Donatorët pretenduan se Marinaj u kishte sugjeruar të mos aplikonin për leje ndërtimi, pasi taksat mund të arrinin deri në 30% të vlerës së projektit, duke kërkuar në këmbim mbështetje elektorale. SPAK nuk arriti të siguronte prova për përfshirjen e kryebashkiakut në krim zgjedhor, ndërsa hetimet për ndërtimin e paligjshëm kaluan në Prokurorinë e Shkodrës.
Për këtë çështje u morën të pandehur sipërmarrësi Gjergj Vuktikaj, kryeinspektori Përparim Hysaj dhe katër inspektorë të Inspektoratit Ndërtimor Vendor. Në mars 2026, Gjykata e Shkodrës i dënoi me nga 12 deri në 16 muaj burgim, por vuajtja e dënimit u pezullua. Të akuzuarit e ankimuan vendimin, ndërsa në mesin e tetorit 2026, Gjykata e Apelit vendosi kthimin e dosjes për rigjykim në shkallën e parë, për shkak të mangësive procedurale në vendimin fillestar. Apeli theksoi se pretendimet për pafajësi nuk qëndronin, por çështja kërkonte një shqyrtim të ri gjyqësor.
