Protesta studentore në kryeqytet ka hyrë në ditën e saj të 21-të, ndërsa studentët bëjnë me dije se deri më tani nuk ka pasur asnjë përmbushje të kërkesave të parashtruara prej tyre. Në shenjë pakënaqësie, të rinjtë kanë vijuar bojkotin e procesit mësimor, duke dalë sërish në rrugët e Tiranës dhe duke marshuar në drejtim të Ministrisë së Arsimit.
Gjatë ditës së sotme, protestuesit kanë zhvilluar lëvizje në disa prej fakulteteve të kryeqytetit, ku kanë hyrë në ambientet e auditorëve dhe u kanë bërë thirrje studentëve të tjerë t’u bashkohen protestës, duke ndërprerë procesin mësimor.
Marshimi ka nisur në disa fakultete, mes tyre ai i Historisë dhe Filologjisë, Ekonomisë dhe Gjuhëve të Huaja. Gjatë zhvillimit të protestës, kësaj lëvizjeje i janë bashkuar edhe studentë nga Fakulteti i Drejtësisë dhe ai i Shkencave të Natyrës, ndërsa së fundmi në protestë janë përfshirë edhe studentët e Mjekësisë.
Studentët paralajmërojnë vijimin e bojkotit deri në marrjen e përgjigjeve konkrete për kërkesat e tyre.