Qeveria ndan paratë për 61 bashki, ndonëse Shqipëria do të ketë 46 nga viti 2027

Qeveria ndan paratë për 61 bashki, ndonëse…

Qeveria ka hartuar projektbuxhetin e pushtetit vendor për vitin 2027 mbi hartën e vjetër administrative me 61 bashki, pavarësisht se Kuvendi miratoi më 9 tetor reformën e re territoriale, e cila parashikon reduktimin e numrit të bashkive në 46. Në dokumentin buxhetor, 15 bashkitë që do të shkrihen dhe bashkohen me njësi të tjera vijojnë të trajtohen si njësi të veçanta financimi, pa reflektuar ende ndryshimet që sjell riorganizimi territorial.

Sipas projektbuxhetit, qeveria parashikon të shpërndajë gjithsej 48.2 miliardë lekë për 61 bashkitë ekzistuese, përmes transfertave të përgjithshme dhe atyre sektoriale. Nga kjo shumë, 26.83 miliardë lekë janë parashikuar si transfertë e pakushtëzuar e përgjithshme, ndërsa pjesa tjetër do të shkojë për arsimin, mbrojtjen nga zjarri, rrugët rurale, ujitjen dhe kullimin, administrimin e pyjeve dhe shërbime të tjera. Kështu, edhe bashki që sipas hartës së re do të bashkohen, si Fushë-Arrëzi me Pukën, Klosi me Matin dhe Rrogozhina me Kavajën, vijojnë të kenë financime të ndara në dokumentin buxhetor.

Reforma e re territoriale synon përqendrimin e burimeve financiare dhe administrative, uljen e kostove të funksionimit dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarët. Megjithatë, ndarja e re krijon nevojën për të përcaktuar mënyrën se si do të administrohen fondet, personeli, detyrimet dhe kompetencat e bashkive që do të shkrihen. Zbatimi i reformës pritet të lidhet me zgjedhjet vendore të vitit 2027, ndërsa deri në përfundimin e riorganizimit, bashkitë ekzistuese do të vijojnë të funksionojnë sipas ndarjes aktuale.

 

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit