Një qytetar ka denoncuar problematikat me shërbimin në degën e Bankës Kombëtare Tregtare (BKT) në Durrës, ku klientët detyrohen të presin deri në 2-3 orë për të marrë një shërbim apo edhe thjesht për një sqarim mbi llogaritë etyre.
Përmes një videoje të dërguar në redaksi, qytetari tregon ambientet e bankës, ku shihen dhjetëra klientë duke pritur në radhë, ndërsa shpreh pakënaqësinë për mënyrën e organizimit të shërbimit.
Ai tregon se gjatë qëndrimit në bankë ka konstatuar një situatë të çorganizuar, ku edhe pajisja elektronike për marrjen e numrave të radhës nuk funksiononte siç duhej. Sipas tij, pajisja bllokonte letrën dhe printonte numra pa fund, ndërsa punonjësit nuk ndërhynin për të verifikuar problemin apo për të orientuar klientët.
Qytetari rrëfen se ka parë një klient që priste që prej orës 12:00 të drekës pa i ardhur radha, ndërsa vetë ishte paraqitur në bankë vetëm për një sqarim mbi llogarinë e tij.
Një tjetër shqetësim i ngritur prej tij lidhet me orarin e punës së bankës. Sipas qytetarit, dega e BKT-së në Durrës mbyllet në orën 15:00, ndërkohë që, sipas tij, bankat e tjera ofrojnë shërbim deri në orën 15:30, 16:00 apo edhe 16:30.
Qytetari shpreh indinjatën për pritjet e gjata dhe mungesën e organizimit, duke kërkuar më shumë përgjegjësi dhevëmendje ndaj klientëve që përballen me vonesa edhe për shërbime të thjeshta.