Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara do të ndërpresin ndihmën financiare prej rreth 4 miliardë dollarësh në vit për Izraelin, duke nisur nga fundi i këtij viti.
Gjatë një interviste telefonike për televizionin Fox News, Trump tha se ka arritur një marrëveshje me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu për t’i dhënë fund kësaj mbështetjeje financiare, duke pretenduar se vendi tashmë nuk ka më nevojë për të.
“Netanyahu dhe unë kemi bërë një marrëveshje. Ne i japim Izraelit 4 miliardë dollarë në vit dhe disa muaj më parë ramë dakord që kjo të ndalet. Deri në fund të këtij viti nuk do t’i paguajmë më Izraelit”, u shpreh Trump.
Megjithatë, presidenti amerikan theksoi se Uashingtoni do të vazhdojë ta ndihmojë Izraelin nëse do të ketë nevojë, ndërsa shtoi se ky i fundit mund të blejë armë dhe pajisje ushtarake amerikane.
Trump argumentoi se Izraeli është tashmë një vend ekonomikisht i zhvilluar dhe nuk ka më nevojë për këtë financim. Ai pranoi gjithashtu se ndihma amerikane për Izraelin është kthyer në një çështje të debatit politik në SHBA, duke u përdorur nga demokratët për të kritikuar republikanët.
Nga ana tjetër, situata mbetet e paqartë sa i përket zbatimit të kësaj marrëveshjeje. Memorandumi aktual mes dy vendeve parashikon 3.8 miliardë dollarë ndihmë ushtarake në vit dhe është në fuqi deri në vitin 2028. Gjithashtu, nuk ka ende një konfirmim publik nga zyra e Netanyahut për deklaratën e Trump.
Vetë kryeministri izraelit kishte shprehur më herët dëshirën për të reduktuar gradualisht varësinë nga ndihma amerikane, me synimin që kjo mbështetje të shkonte në zero gjatë një periudhe 10-vjeçare.