Një qytetar i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar një rast që, sipas tij, i ka ndodhur në pikën e karburantit ER Petrol, pranë zonës së Zogut të Zi në Tiranë.
Në një video të dërguar në redaksi, ai tregon se kishte shkuar për të furnizuar automjetin me 1.000 lekë të reja benzinë. Sipas tij, në tabelën kryesore të karburantit ishte afishuar çmimi prej 179 lekësh për litër për benzinën normale dhe 228 lekësh për litër për atë Premium.
Qytetari pretendon se i ka kërkuar punonjësit 10 mijë lekë të vjetra benzinë, pa specifikuar se dëshironte variantin Premium. Por, gjatë furnizimit, ka vënë re se në dispenser ishte shfaqur çmimi 228 lekë për litër.
Kur ka kërkuar shpjegim, punonjësi i ka thënë se në atë pikë tregtohej vetëm benzinë Premium. Sipas denoncuesit, askush nuk e kishte informuar paraprakisht për këtë fakt dhe as nuk e kishte njoftuar se do të paguante 228 lekë për litër, ndërkohë që në tabelën kryesore shfaqej çmimi 179 lekë.
Denoncuesi ngre shqetësimin se kjo praktikë mund të vendosë në të njëjtën situatë edhe shumë drejtues të tjerë automjetesh, të cilët orientohen nga tabela kryesore dhe nuk e vënë re çmimin në dispenser, veçanërisht nëse nuk informohen nga punonjësit përpara furnizimit.
Ai kërkon që rasti të bëhet publik dhe të verifikohet nga institucionet përgjegjëse, pasi konsumatorët duhet të informohen qartë për produktin që po blejnë dhe çmimin që do të paguajnë përpara se të kryejnë furnizimin.
JOQ Albania i bën thirrje strukturave të mbrojtjes së konsumatorit dhe institucioneve të kontrollit të tregut që të verifikojnë këtë rast pranë pikës së karburantit ER Petrol në Zogun e Zi dhe të sqarojnë nëse praktika e ndjekur është në përputhje me detyrimet për informimin e konsumatorëve.
Ndërkohë, mbetet për t’u dëgjuar edhe versioni i subjektit për këtë denoncim.
<iframe width=”337″ height=”599″ src=”https://www.youtube.com/embed/HAz3vDPLssc” title=”“Më hodhën benzinë Premium pa më pyetur”, i riu denoncon ER Petrol: 228 lekë/litri!” frameborder=”0″ allow=”accelerometer; autoplay; clipboard-write; encrypted-media; gyroscope; picture-in-picture; web-share” referrerpolicy=”strict-origin-when-cross-origin” allowfullscreen></iframe>