E qëlluan me pistoletë dhe sëpatë, gruaja dhe djali tentuan ta varrosnin 61-vjeçarin pa ekspertizë

E qëlluan me pistoletë dhe sëpatë, gruaja…

Detaje të reja tronditëse janë zbardhur nga vdekja e 61-vjeçarit Urim Fiku në Bulqizë, i cili fillimisht u raportua nga familjarët se ishte sulmuar për vdekje nga një ari në pyll.

Sipas të dhënave të ekspertizës, 61-vjeçari është qëlluar me armë zjarri pas shpine. Plumbi i pistoletës ka qenë tejshkues, duke i hyrë në pjesën e pasme të trupit dhe duke i dalë në gjoks.

Por kjo nuk ka qenë e vetmja plagë e konstatuar në trupin e viktimës. Ekspertët kanë evidentuar edhe një dëmtim të rëndë në kokë, që dyshohet se është shkaktuar nga një mjet i fortë prerës, konkretisht sëpatë.

Sipas Policisë, për ngjarjen janë vënë në pranga bashkëshortja e viktimës, Sadete Fiku, dhe djali i tij, Gëzim Fiku, të cilët dyshohet se kanë bashkëpunuar në vrasje.

Ngjarja u zbulua pasi të dy e dërguan Urim Fikun në spitalin e Bulqizës, duke pretenduar se ai ishte sulmuar nga një ari dhe më pas kishte humbur ndjenjat pranë banesës. Gjatë kontrollit mjekësor, bluzat e bardha konstatuan se 61-vjeçari kishte ndërruar jetë dhe njoftuan Policinë, pasi plagët në trup nuk përputheshin me versionin e familjarëve.

Më pas, bashkëshortja dhe djali kanë insistuar të merrnin trupin për të zhvilluar ceremoninë mortore, pa pritur kryerjen e ekspertizës mjeko-ligjore. Ndërhyrja e Policisë dhe ekzaminimi i trupit zbuluan se vdekja nuk kishte ardhur nga sulmi i pretenduar i ariut, por nga plagët e shkaktuara me armë zjarri dhe mjet prerës.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit