Shkolla e Mjeshtërisë Sportive “Loro Boriçi” prej dy vitesh pa terrene sportive, nxënësit paguajnë për stërvitje

Shkolla e Mjeshtërisë Sportive “Loro Boriçi” prej…

Një qytetar i është drejtuar redaksisë me një denoncim lidhur me kushtet e vështira infrastrukturore në të cilat zhvillon aktivitetin Shkolla e Mjeshtërisë Sportive “Loro Boriçi”.

Sipas denoncimit, prej rreth dy vitesh shkolla nuk disponon terrene sportive ku nxënësit të zhvillojnë stërvitjet, të cilat janë pjesë e kurrikulës mësimore. Për pasojë, ata detyrohen të lëvizin nëpër Kamëz, në kërkim të hapësirave ku mund të ushtrojnë aktivitetin sportiv, madje edhe kundrejt pagesës.

Qytetari ngre shqetësimin se, ndërkohë që tre fusha futbolli në kompleksin e Federatës në Kamëz qëndrojnë bosh, nxënësit e kësaj shkolle përballen me mungesën e ambienteve sportive për të zhvilluar procesin e tyre mësimor.

Por problematikat, sipas denoncimit, nuk përfundojnë këtu. Infrastruktura e shkollës paraqitet në gjendje alarmante, me mungesë të dusheve, dhomave të zhveshjes dhe ambienteve të tjera të domosdoshme për zhvillimin normal të aktivitetit sportiv.

Qytetari thotë gjithashtu se prej katër vitesh institucioni është konsideruar nga Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) i papërshtatshëm dhe jashtë standardeve higjienike e infrastrukturore.

Në një kohë kur institucionet flasin për rritje të buxhetit dhe më shumë mbështetje për sportin dhe sportistët, situata e përshkruar në këtë shkollë ngre pikëpyetje mbi kushtet në të cilat po formohen sportistët e rinj.

Përmes këtij denoncimi kërkohet ndërhyrja e institucioneve përgjegjëse për përmirësimin e infrastrukturës, rikthimin e terreneve sportive dhe garantimin e kushteve dinjitoze për nxënësit e Shkollës së Mjeshtërisë Sportive “Loro Boriçi”.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit