Serbi: Nis arrestimi i policëve që dhunuan studentët në protesta

Serbi: Nis arrestimi i policëve që dhunuan…

Autoritetet në Serbi kanë nisur arrestimin e efektivëve të policisë të akuzuar për ushtrim dhune ndaj studentëve gjatë protestave anti-qeveritare të zhvilluara vitin e kaluar në Beograd.

Ministria e Brendshme bëri të ditur se të mërkurën janë ndaluar tetë efektivë policie dhe një ish-punonjës i policisë, të dyshuar për veprat penale të abuzimit dhe torturës.

Sipas hetimeve, ngjarja ka ndodhur në natën mes 14 dhe 15 gushtit 2025, në garazhin e një ndërtese qeveritare në Beograd. Të dyshuarit, të cilët në atë kohë ishin në detyrë, akuzohen se kanë përdorur forcën dhe kërcënimet për t’u shkaktuar dhimbje dhe vuajtje të rënda disa personave të ndaluar, me qëllim marrjen e informacionit, frikësimin dhe ndëshkimin e paligjshëm të tyre.

Mes të arrestuarve raportohet edhe Igor Žmirić, komandant i Njësisë Speciale Antiterroriste të Serbisë. Ai ishte akuzuar më herët nga aktivistja studentore Nikolina Sinđelić se e kishte goditur me shkelma, ndërsa ajo ndodhej e shtrirë në dyshemenë e garazhit.

Të nëntë të dyshuarit janë vendosur në paraburgim për 48 orë dhe pritet të dalin përpara prokurorisë.

Protestat në Serbi nisën në fund të vitit 2024, pas tragjedisë në stacionin e trenit në Novi Sad, ku shembja e një strehe betoni shkaktoi vdekjen e 16 personave. Studentët dolën në rrugë duke kërkuar përgjegjësi për tragjedinë dhe luftë kundër korrupsionit, ndërsa gjatë muajve në vijim akuzuan vazhdimisht policinë për përdorim të tepruar të forcës dhe dhunë ndaj protestuesve.

Arrestimet e fundit përbëjnë një nga zhvillimet më të rëndësishme në hetimin e dhunës së ushtruar ndaj protestuesve.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit