Kush është Mariela, shqiptarja e akuzuar si një nga drejtueset e rrjetit të prostitucionit në Paris

Kush është Mariela, shqiptarja e akuzuar si…

E përditshmja franceze “Le Parisien” i ka kushtuar një artikull të posaçëm një 37-vjeçareje shqiptare, e dyshuar si një nga figurat kryesore të një rrjeti të organizuar prostitucioni në Paris, e cila ka kërkuar lirimin nga burgu.

Në shkrimin e gazetarit Julien Constant, të publikuar këtë të enjte, bëhet fjalë për Mariela M., e cila ndodhet në paraburgim që prej 21 shkurtit 2026. Ajo është marrë zyrtarisht e pandehur për tutorim të rënduar të prostitucionit, trafikim të qenieve njerëzore dhe pastrim parash në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.

Sipas hetimeve, rrjeti ushtronte aktivitetin në zonën e Porte de Vincennes, përgjatë bulevardit Carnot, në distriktin e 12-të të Parisit, gjatë periudhës 2023-2026. Mariela dyshohet se kishte rolin e një “drejtueseje rruge”, duke mbikëqyrur disa gra që ushtronin prostitucion, organizuar aktivitetin e tyre dhe mbledhur një pjesë të të ardhurave.

Hetuesit kanë përllogaritur se fitimet e lidhura me aktivitetin gjatë kësaj periudhe arrijnë në rreth 128 mijë euro, bazuar në gjurmimin e transfertave bankare dhe dërgesave të parave. Sipas dosjes, paratë mblidheshin në Francë dhe më pas transferoheshin jashtë vendit, ndërsa drejtuesit kryesorë të rrjetit dyshohet se ndodheshin në Shqipëri.

Hetimi nisi pas dëshmisë së një prostitute rumune, e cila tregoi se duhej t’u dorëzonte një pjesë të fitimeve dy grave më të vjetra në këtë aktivitet. Përgjimet dhe vëzhgimet e policisë çuan më tej në identifikimin e Marielës dhe personave të tjerë të përfshirë në skemë. Në dosje përmendet edhe një ndërmjetës në Belgjikë, i cili dyshohet se grumbullonte paratë.

Gjatë arrestimit në një hotel në Pantin, autoritetet sekuestruan 9 mijë euro cash. Para hetuesve, 37-vjeçarja ka pranuar se ushtron prostitucion dhe se ka një marrëdhënie me një person të përfshirë në këtë aktivitet, por mohon se ka drejtuar rrjetin apo se ka mbledhur paratë e grave të tjera.

Avokati i saj kërkoi lirimin nën masën e kontrollit gjyqësor, por kërkesa u kundërshtua nga prokuroria. Gjykata vendosi vijimin e paraburgimit, me argumentin se ekziston rreziku që ajo t’i rikthehet aktivitetit nëse lirohet.

Sipas “Le Parisien”, kjo është çështja e tretë hetimore që prej vitit 2019 ndaj rrjeteve shqiptare të prostitucionit në zonën e Porte de Vincennes. Në një rast të mëparshëm, në janar 2023, drejtuesi i një rrjeti të tillë u dënua me gjashtë vite burg.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit