Berisha nuk lëshon karrigen e PD-së: Do të them “Goodbye” vetëm nëse kam pamundësi fizike ose mendore

Berisha nuk lëshon karrigen e PD-së: Do…

Sali Berisha nuk ka ndërmend të largohet nga drejtimi i Partisë Demokratike, të paktën për sa kohë trupi dhe mendja i përgjigjen. “Momentin që unë të ndjej pamundësinë më të vogël fizike në detyrimet e mia fizike ose mendore, absolutisht, me lehtësi dhe pa vështirësi do të them ‘Goodbye’”, deklaroi ai, duke lënë të kuptohet se dorëheqja nuk është në axhendën e tij të afërt. I pyetur për Belind Këlliçin si një emër të mundshëm për drejtimin e PD-së, Berisha tha se gara mbetet e hapur, por pa dhënë asnjë afat. Me sa duket, gara është e hapur, por vija e finishit nuk duket askund.

Kreu i PD-së u kthye edhe te përplasja me Lulzim Bashën, duke pretenduar se rikthimi i tij në krye të partisë erdhi për të mbrojtur dinjitetin personal dhe atë të demokratëve. “U riktheva për dinjitetin tim, për dinjitetin e Partisë Demokratike”, u shpreh Berisha. Ndërkohë, për brezin e ri të demokratëve, mesazhi duket i qartë, mundësitë janë aty, por duhet të kenë durimin të presin derisa kryetari të vendosë se ka ardhur koha. Demokracia brenda partisë duket se ka një kusht të rëndësishëm: të mos nxitohet më shumë se kryetari.

“Unë nuk jam demon pushteti. Unë kam pasur të gjitha pushtetet”, deklaroi Berisha, duke shpjeguar se motivimi për të vijuar politikën vjen nga beteja kundër Edi Ramës, të cilën e cilësoi si përballje me “një diktaturë të dytë”. Ai e konsideroi këtë periudhë ndër më interesantet e jetës së tij politike. Kështu, ndërsa Rama akuzohet se nuk dëshiron të largohet nga pushteti, Berisha duket se nuk dëshiron të largohet nga opozita. Njëri mban karrigen e kryeministrit, tjetri atë të kryetarit të PD-së, ndërsa ndryshimi i lidershipit mbetet një premtim që vazhdon të shtyhet për një ditë tjetër.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit