Jeta e 9 elektriçistëve u pre në mes në krye të detyrës, pse hesht OSHEE?

Jeta e 9 elektriçistëve u pre në…

Vrasja e heshtur në linjat e tensionit të lartë ka shënuar sot viktimën e radhës: Altin Petanaj, 45-vjeçari që humbi jetën mesditën e sotme në nënstacionin elektrik të Koculit në Vlorë, është vetëm kapitulli më i fundit i një bilanci të përgjakshëm që nuk po njeh ndalje. Teksa jemi ende në fillim të muajit nëntor, viti 2026 po kthehet në një makth të vërtetë për punonjësit e terenit, ku plot 9 elektricistë kanë humbur jetën në krye të detyrës.

Tragjeditë janë radhitur njëra pas tjetrës pa asnjë pushim. Vetëm ditën e djeshme, në fshatin Vasije të Kalasë së Dodës, Lulzim Shehu u zu poshtë nga një shtyllë elektrike teksa ishte në krye të punës. Një muaj më parë, më 12 shtator, Klajdi Zekthi u godit nga rryma elektrike në fshatin Trojas të Belshit gjatë rregullimit të një defekti. Vetëm një ditë para tij, më 11 shtator, Ermal Dëbrova ndërroi jetë në Patos pasi ranë në kontakt me energjinë teksa punonte mbi shtyllë. Po atë javë, më 8 shtator, Muhamet Sylisufaj humbi jetën në rrugën e Dobravës dhe 3 kolegë të tij mbetën të plagosur.

Vera e këtij viti ishte po aq e pamëshirshme: më 29 gusht, David Deda u aksidentua mortalisht në fshatin Karmë të Vaut të Dejës teksa riparonte një instalim bashkë me një roje lokalit; më 26 korrik Agim Beqiri humbi jetën në Zërvaskë të Pogradecit; ndërsa më 22 korrik Bashkim Boçi ra nga 9 metra lartësi në Himarë pasi iu këput rripi i sigurisë teksa po rikthente energjinë pas stuhisë. Seria e zezë e vitit 2026 nisi që më 19 shkurt në Rrilë të Lezhës, ku viktimë e parë mbeti Mark Prenga.

Të gjitha këto ngjarje të rënda nuk mund të trajtohen në asnjë rast si statistika të ftohta apo shifra teknike, sepse janë histori tragjike njerëzish që dhanë jetën duke siguruar dritë për mijëra familje. Këto tragjedi të njëpasnjëshme ngrenë pikëpyetje të alarmante për kushtet skandaloze në të cilat punojnë elektricistët në Shqipëri. Qoftë nga kontakti me rrymën, por sidomos nga rastet ku shtylla shembet mbi punonjësin apo ku këputet rripi i sigurisë në lartësi, bëhet e qartë se këta njerëz po dërgohen çdo ditë drejt një rreziku ekstrem pa mbrojtje reale. Sot kërkohet llogari publike: Çfarë masash po merren për të parandaluar këtë masakër në punë? A kryhen kontrolle rigoroze për pajisjet e sigurisë, dhe me çfarë kriteresh e trajnimesh dërgohen punonjësit në terren?

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit